Data : 22 05 2018
KryeTitujt :

A do të pastrohen zyrat

A do të pastrohen zyrat

(Pamflet)

                                                                                               

Nga Çelik Petrit                                                

            Në këtë Tranzicion – Nip, ndërzgjedhor, ndërdyqeverior (dymujor), brenda Tranzicionit – Gjysh (dydekador, gjasme pluralistor), në aparencë duket se ka qetësi (fatmirësisht), qetësi që e solli rezultati me diferencë drastike i fituesve (sepse janë të shumtë fituesit). Por gjithandej zjen çdo qelizë e këtij vendi në dukje gjysmë i ngordhur.

            Nuk e kam fjalën për “tema debatesh” të tipit “pronësi e SHQU” e të tjera si këto që gudulisin e masturbojnë si tradicionalisht vetëm “majën e ajzbergut” për të larguar vëmendjen e atyre që kanë mend nga thellësia e tij, ku vetëm një Zot e disa aktorë kryesorë të tragjikomedisë shqiptare e dinë se ç’bëhet e konservohet atje, meqë atje ka temperaturë frigoriferike ruajtjeje. Pra, jo për tema debatesh që i japin dorë të kërcejnë lukunisë së pelivanëve të televizioneve (veçmas të emisioneve dhe moderatorëve të tyre) të (pa)varur, apo të tredhur; të gazetave të (pa)varura, apo të skopitura dhe veçanërisht analistëve e opinionistëve, politologëve e politikanëve, kolltukologëve e zyrëtarëve, bordologëve e fondacionologëve të (pa)varur, apo të rrënxuar (që i ka lënë gjysmakë tredhja, apo skopitja) për ta kthyer fletën sa s’është vonë me marshin “Dallandyshe, ktheje ndryshe”, se “U mbyt gjemia me federalë,/ O burra, shpejt – o, kush mund të dalë!/”. ( Huazova kështu këto vargje të Shevqet Musarajt, sepse më përcaktojnë sëktësisht bishtdredhjen, pa çka se ai shënjestronte diku tjetër sipas mësimeve e detyrës së partisë së vet. Dhe, ke parë që prapë rezultoj i saktë me këtë huazim?! Sepse gjithkush i përmendur më sipër qumështin e asaj partie ka pirë dhe vazhdon të pijë.).  

            Fjala është për debatin që zjen Poshtë, në çdo qelizë të shoqërisë, në çdo tavolinë kafeneje, në çdo sedile autobusi, në çdo qokë e ziafet, në çdo tezgë shitblerjeje të artikujve jetikë, në çdo radhë pagesash; herë – herë edhe në krevatet bashkëshortore të moshave të treta. Herë me mërmërima, herë me zë të lartë. Fatmirësisht, me karburantin e pashtershëm (tashmë të gëluar), shpresën.

            Dhe këtu, Poshtë, kryefjalia e debatit që zjen është pyetja: “A do të zyrapastrohen zyrat?”. Sepse dorëzuesit e pushtetit kanë dhënë alarmin e largimeve në masë të njerëzve nga puna për t’u zëvendësuar me militantë të fituesve, duke i bërë të struken e të tremben të tyret, apo të ndërrojnë kurs e tesër sa s’është vonë. Ndërsa masa e njerëzve të përvuajtur që tashmë e kanë kuptuar se në Shqipëri s’ka parti, por klane, duan pastrime, sepse ëndërrojnë ndryshime. Për të mos u ndalur te militantët e fituesve që presin të fillojë “sëpata e dardharit”, sa nga mllefi, sa nga shpresa për të zënë vende ikësish në ato “zyra – lopë pjellore”.

            Personalisht (me gjithë respektin, madje edhe mëshirën që ushqej ndaj atyre të paktëve “Demka”, të cilët, gjithnjë të trembur, kryejnë punët e domosdoshme rutinë të lukunisë së analfabetëve me (ose pa) diploma të blera, që kanë dyndur aty për të mjelë lopën), kam mendimin se zyrat, jo vetëm duhen pastruar, por edhe duhen dezinfektuar para se të futen brenda të rinjtë (pa çka se ç’ kualitet do të jenë të përzgjedhurit). Siç bëhet kur blihet një shtëpi, apo një dyqan i përdorur, duke u suvatuar, stukuar, lyer e rikonfiguruar krejt mjedisi. Pse?!

            Le të rrëfej vetëm “në vija të trasha” ç’kam përjetuar (hequr) vetë në zyrat më të prekshme (sa shpirtërisht, aq edhe konkretisht) jo shumë kohë më parë. Një rrëfim ky që merre si ta marrësh:

            Ndonëse përgatitur me përkujdesjen më të madhe sipas të gjitha udhëzimeve dhe formateve, me tufën e dokumenteve në dorë, u futa në mjediset e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, drejt me thënë, paraprakisht “i terrorizuar” për çka kisha dëgjuar se ç’kalvar sfilitjesh të priste atje deri sa të merrje atë të shkretë Librezë Pensioni.

            Por, deri sa më erdhi radha, u skuqa dhe shava veten njëqind herë (madje saqë më vinte zor t’i afrohesha sportelit për veprimet përkatëse) pse isha bërë paragjykues. Kjo përskuqje dhe ky vetëgjykim më kishte ardhur teksa shikoja me ç’durim, mirësi e përkushtin sqaronte dhe ndihmonte të gjithë të interesuarit (të llojllojshëm për nga tipi në komunikim dhe problematika në dokumente) pa mëshuar e nxjerrë fjalë të shpejtuara nga goja, pa çka se, në ka vend pune ku ndonjëherë edhe mund të ulërihet e të mos zemërohesh, është ai vend atje. Kur i zgjata dokumentet dhe lexoi emrin tim, ajo zonjë, që aty e mësova se ishte inspektore pritëse me detyrë dhe quhej Emanuela Kau, më pa në fytyrë, buzëqeshi dhe, para se të fillonte veprimet zyrtare, më tha:

- Ke botuar ndonjë libër të ri?

E pyeta nëse ishte ndonjë e njohur, a fis, apo edhe ndonjë ish – nxënëse imja e dikurshme, por jo. Atëherë kuptova se kisha të bëja me një qytetare evropiane në kuptimin më të mirë të fjalës, e cila, sikurse edhe te unë, te të gjithë ata që çdo ditë i rrinin përpara si për të lypur lëmoshë, ndërkohë që Libreza e Pensionit duhej t’u shkonte nëpër shtëpira (sepse përditë na buçasin veshët që jemi në vitet e informatizimit), shikonte njerëz që secili në punën e vet kishte shërbyer një jetë të tërë.

Sidoqoftë, mora datën e mundësisë së përgjigjes (zakonisht pas një muaji) dhe u largova i çterrorizuar duke përfytyruar sesi Emanuela të tjera ishin duke përpunuar dokumentacionin tim për të marrë pagesën e parë e të “zija vrimat” që më kish lënë ndërprerja e rrogës.

Për të qënë brenda, meqë s’kisha marrë ndonjë telefonatë për t’u paraqitur, shkova pas një muaji e gjysmë, por asnjë “haber”. Më dha kohë edhe për dy javë të tjera dhe, meqë sërish s’ kish “haber”, më adresoi për sqarime te Agjencia Kombëtare e Sigurimeve, ku, vetëm se je i detyruar të shkosh, s’mund të mallkosh “Mos shkoftë as hasmi”. Dy ditë dështova të marr kontakt me dikë në atë grumbull njerëzish që sorrollateshin nëpër zyra e korridore. Të tretën ditë, edhe pse dikush që rastësisht u zgjat te dera e zyrës së vet e më orientoi zyrën ku duhej të shkoja në katin e sipërm (madje duke m’u drejtuar me “zoti gazetar”, sepse dukej që më njihte), mezi arrita të futem. U futa, por, folë me tërë politesën njërës punonjëse, përpara një memece. Folë së dytës, po me të njëjtën gjuhë, por prapë përpara një statujë. Folë së tretës që ishte aty, sepse karriget e tjera ishin bosh (tashmë jështë plotesës, me zë të lartë) dhe statuja lëvizi buzët:

- Nuk na lejohet të komunikojmë. Kemi urdhër të prerë nga drejtori.

Atëherë s’u përmbajta. Dola nga ajo zyrë dhe, i dalë nga kontrolli, fillova të bërtas me zë të lartë, i përgatitur të bëja sherr pa çka me çfarë çmimi mund ta paguaja, duke bërtitur para deres ku lexojej “Drejtori”:

- Ç’është ky drejtor?! Ku është ky drejtor?!, etj.

Ndjeva zëra nga brenda dhe lëvizje karrigesh, por dera s’po hapej. Ndërkaq, dikush më thotë:

- Eja nga ky korridori këtej se aty është inspektorja që ka dosjen tuaj.

            Shkova dhe, në një mjedis megjithmend për t’u mëshiruar ku punonin, m’u prezantua inspektorja përkatëse me dosjen time të hapur, duke më thënë e alarmuar:

- Po dosja jote është katran fare. Të mungojnë gjysma e dokumenteve!

I shqetësuar se mos m’i kishin humbur, ia mora nga dora dhe, pasi pashë se s’kish humbur gjë, u qetësova.

 

Inspektorja e kishte fjalën për disa vite pune të shpërndara, të cilat ishin përmbledhur vite më parë për nevoja të atëhershme në një shkresë vërtetuese të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, për të cilën pakujdesisht ajo tha kategorikisht:

- Ku marrin vesh ata të Ministrisë?!

            – Marrin, marrin, sepse e ka shqyrtuar një juriste që merrte vesh, – ia ktheva duke i përmendur emrin e Elenit dhe vazhdova me zë të lartë:

            – Eja të ta them si në vesh, me që, siç më ka thënë një mik në drejtorinë e Institutit të Sigurimeve, jeni zonjë e mirë (dhe vërtet ashtu më kishte thënë dikush). Dhe e di pse merrte vesh ajo?! Sepse hapte qitapet (d.m.th. librat) që mbante mbi tavolinë me skeda ndarëse nëpër kapituj, ku më tregoi tre paragrafë në bazë të të cilëve më lëshoi atë vërtetim duke më thënë se s’më kish bërë nder, por detyrën e vet, për të cilën paguhej, duke e bërë gjumin të qetë se s’kishte bërë asnjë shkelje.

            Megjithatë, ajo u bind dhe duket se puna do të merrte udhë pas sjelljes edhe të një dokumenti prej administratës së një qarku ku duhej dokumentuar edhe një vit pune (sado që koti, sa për të mos mbetur dhelpra pa bisht mbas pretendimit të fillimit).

            Kësisoj, disi i lehtësuar, dola, por sërish pa ditur nga kaloja e ku shkoja dhe këmbët sërish më kishin çuar te zyrat e inspektorëve pritës, ku Emanuela, sapo më pa, më pyeti:

- Pse qënke lodhur? Si mund të të ndihmoj?

- Për asgjë, – ia ktheva, – vetëm mbas atyre që kam hequr në ato zyrat andej, erdha të përshëndes një nëpunëse siç dëshiroj të jenë të gjithë.

- Të lumtë goja, – ma kthyen të gjithë ata që prisnin para saj, – nuk e ka shoqen.

Sidoqoftë, pas kësaj s’vonoi dhe librezën e futa në xhep, sado që nuk më dukej e saktë shifra e përfitimit, krahasur me të ngjashmit e mi, sado që një pesëmbëdhjetëditsh ishte krasitur, pa çka se duhej zbatuar data e ndërprerjes së punës. Por nuk shkova sërish në ato zyra e nuk do të shkoja sikur edhe gjysmën e shumës të më kishin krasitur.

Pasi kisha mbaruar punë, telefonova shokun tim në drejtori që e “kisha futur mik” të më ndihmonte, për t’i dhënë një kafe si shenjë falenderimi.

- S’ke asnjë detyrim ndaj meje, – ma ktheu, – po falëndero Zotin që të ra fati i shortit me atë inspektore, e cila është e vetmja atje që merr vesh nga zanati dhe është grua e mirë (për dreq, emri s’më kujtohet) se ndryshe kushedi se edhe sa kohë do të ishe sorollatur nëpër ato zyra.

Prandaj them se zyrat duhen pastruar e dezinfektuar. Dhe, dhëntë Zoti, ata që do të futen në to të jenë të kundërtit e atyre që do të ikin. Jo në simpatira e tesera, por në staturë. Dhëntë Zoti,ata që do të mbetën (se domosdo do të mbeten) të jenë si Eleni, apo Emanuela, si njërëz e profesionistë, nga Veriu, apo nga Jugu qofshin, të majtë, apo të djathtëqofshin, të krishterë, apo myslimanë qofshin, shqiptarë, apo minoritarë qofshin.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :